Secondary Adv

BSH: 40 për qind e fuqisë punëtore ka emigruar, rënia e popullsisë rrezikon rritjen ekonomike

Emigracioni masiv dhe ndryshimet demografike po kthehen në një nga faktorët më të rëndësishëm që po formësojnë ekonominë shqiptare në afatgjatë.

Sipas Raportit Vjetor 2025 të Banks së Shqipërisë, rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare ka emigruar jashtë vendit – një nivel që e vendos Shqipërinë ndër vendet më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni. Ky realitet po krijon presione të drejtpërdrejta në tregun e punës, duke ndikuar jo vetëm në pagat dhe ofertën e fuqisë punëtore, por edhe në vetë hapësirën e politikës monetare.

 

Në analizën e bankës qendrore, evidentohet se në afatshkurtër tregu i punës ndikohet kryesisht nga goditjet e kërkesës, pra nga ciklet ekonomike dhe nevojat e biznesit. Por në afatgjatë, janë faktorët demografikë – si emigracioni dhe plakja e popullsisë – ata që përcaktojnë drejtimin e tregut. Tkurrja e fuqisë punëtore kufizon ofertën e punës dhe rrit konkurrencën për punonjës, duke ushtruar presion mbi pagat.

 

Megjithatë, raporti thekson një nuancë të rëndësishme: rritja e ofertës së punës nuk sjell automatikisht presione inflacioniste. Përkundrazi, janë ndryshimet në normën e pjesëmarrjes në tregun e punës – pra përfshirja më e madhe e popullsisë në punë – ato që lidhen më drejtpërdrejt me rritjen e pagave dhe me presionet inflacioniste. Kjo do të thotë se dinamika e brendshme e tregut të punës është po aq e rëndësishme sa edhe emigracioni në përcaktimin e inflacionit.

 

Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit lidhet me ndikimin në normën reale të interesit. Sipas modelit makroekonomik të përdorur nga Banka e Shqipërisë, dinamika demografike shpjegon rreth 20% të rënies së normës reale të interesit që nga viti 2001. Kjo është një tregues i qartë se ndryshimet në strukturën e popullsisë nuk janë thjesht çështje sociale, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mekanizmat bazë të ekonomisë.

 

Rënia e normës reale të interesit nënkupton një hapësirë më të kufizuar për politikën monetare. Në një mjedis ku normat janë strukturalisht më të ulëta, banka qendrore ka më pak instrumente për të stimuluar ekonominë në kohë krize apo për të frenuar inflacionin në periudha mbinxehjeje. Pra, emigracioni dhe plakja e popullsisë po reduktojnë gradualisht “hapësirën e manovrës” së politikës monetare.

 

Në këtë kontekst, sfida për ekonominë shqiptare shkon përtej menaxhimit të cikleve ekonomike. Ajo lidhet me adresimin e faktorëve strukturorë: frenimin e emigracionit, rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe përmirësimin e produktivitetit. Pa këto ndërhyrje, presionet mbi tregun e punës dhe kufizimet ndaj politikës monetare pritet të intensifikohen në vitet në vijim, duke ndikuar drejtpërdrejt në ritmet e rritjes ekonomike dhe në prosperitetin afatgjatë të vendit. 

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat